Kthehu lart

Në 'hall' me marrëveshjen për demarkacionin

Në 'hall' me marrëveshjen për demarkacionin GazetaExpress

Qeveria e re e Kosovës duhet të ndjekë disa hapa nëse është e interesuar që t’i rikthejë negociatat me Malin e Zi për shënimin e vijës kufitare, thonë analistët politikë në Prishtinë.

Zhbërja e marrëveshjes aktuale apo edhe dërgimi i saj në arbitrazh ndërkombëtar, konsiderohen si hapat e domosdoshëm që mund të ndiqen.

Por, meqë bëhet fjalë për një marrëveshje ndërkombëtare, sipas analistëve, në këtë proces duhet të përfshihet edhe Qeveria e Malit të Zi.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane tha për Radion Evropa e Lirë se nëse një palë nuk është dakord për ta diskutuar sërish çështjen e kësaj marrëveshjeje, atëherë ka instanca të tjera të cilat mund të përfshihen.

"Nëse Mali i Zi i ka kryer procedurat e brendshme dhe nëse ka vullnet edhe nga pala e tyre për ta rinegociuar një tekst të tillë, atëherë është çështje tjetër, sepse vjen në shprehje vullneti i të dyja palëve. Kjo mund të ndodhë. Por, nëse pala malazeze nuk dëshiron, atëherë nuk mund të ndodhë që ne të vijmë deri te një version tjetër dhe ta ratifikojmë atë në Kuvend, pa pëlqimin e palës tjetër", tha Ujkani.

E ndërkohë, arbitrazhi ndërkombëtar për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi mund të vijë në shprehje si opsion nëse institucionet e Kosovës dështojnë përfundimisht që ta ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin.

Zgjidhja më e mirë, sipas analistëve do të ishte që Prishtina dhe Podgorica së bashku ta adresojnë çështjen tek arbitrazhi ndërkombëtar, nëse nuk arrijnë marrëveshje dy-palëshe.

Sidoqoftë, edhe nëse nuk ka pajtim që ta dërgojnë si dy shtete çështjen në arbitrazh ndërkombëtar, mundësitë janë që vetëm njëra qeveri ta bëjë këtë.

Ndryshe, Prishtina dhe Podgorica nënshkruan Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015, në praninë ndërkombëtare. Mali i Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, por jo edhe Kosova. Kjo marrëveshje më pas u shndërrua në një kusht nga Bashkimi Evropian për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri i sapo zgjedhur, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar Komisionin shtetëror për shënimin e vijës kufitare dhe ka emëruar ish-deputetin Shpejtim Bulliqi në krye të tij.

Haradinaj dhe Bulliqi njihen si dy kundërshtuesit më të zëshëm të versionit aktual të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

    Data: 13 Shtator 2017 16:21
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera