Kthehu lart

Kushti i harruar për vizat

Kushti i harruar për vizat GazetaExpress

Pothuajse e gjithë energjia e politikës në Kosovë është përqendruar në plotësimin e kushtit të parafundit për liberalizimin e vizave – ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Përpjekjet e partive politike për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ta krijojnë përshtypjen se ky është kushti i fundit që qytetarët të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Është edhe një kusht që duhet të plotësohet me po aq përkushtim sa marrëveshje për Demarkacionin – ai është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Përgjatë gjithë kësaj kohe, pothuajse fare nuk është përmendur kushti i dytë, duke e minimizuar rëndësinë e tij.

Zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, gjatë vizitave të tyre në Kosovë, vazhdimisht e kanë bërë të qartë se përveç Demarkacionit, duhet të luftohet edhe korrupsioni dhe krimi i organizuar, në mënyrë që Kosova të tregojë seriozitetin e saj si shtet dhe i gatshëm për t’u bërë pjesë e BE-së.

Në njëfarë forme, Demarkacioni, ndonëse që një kohë ka bllokuar proceset e Kosovës, duket se do të jetë më i lehtë sesa kushti tjetër – luftimi i korrupsionit. Kjo për faktin se Demarkacioni ka qenë reflektim i mosmarrëveshjeve politike brenda partive politike, por në disa raste edhe me Malin e Zi, shkruan Insajderi.

Kurse luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar duket se do të jetë sfidë edhe më e madhe, për shkak se duhet të luftohet brenda llojit. Në këtë rast nuk kemi arsye ta fajësojmë askënd për bllokim, pasi që organet e drejtësisë por edhe të gjithë mekanizmat e shtetit duhet ta tregojnë veten në këtë “luftë”.

Është thënë vazhdimisht se Kosova duhet ta ratifikojë Demarkacionin për ta zënë hapin e fundit për liberalizimin e vizave. Sipas politikanëve vendorë, ratifikimi i Demarkacionit do t’ua mundësonte qytetarëve që kah fundi i vitit të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Ndonëse Demarkacioni mund të marrë epilog gjatë javës që vjen, pasi është caktuar edhe seanca për këtë gjë, megjithatë, nuk dihet se kur do të marrë epilog kushti për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Megjithatë, mbetet të shihet se si do t’i qaset shteti dhe institucionet për rend dhe ligj kushtit të fundit. Një gjë është e qartë se Bashkimi Evropian nuk do ta dëshironte një vend të korruptuar në gjirin e vet.

    Data: 18 Mars 2018 10:14
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera