Kthehu lart

Kush ishte Kujtim Paçaku: Arsimtari, aktori, poeti dhe ish-deputeti rom i Kuvendit të Kosovës

Kush ishte Kujtim Paçaku: Arsimtari, aktori, poeti dhe ish-deputeti rom i Kuvendit të Kosovës GazetaExpress

​I lindur në mars të 1959, në Prizren, Kujtim Paçaku kreu studimet e degës së Muzikës në Akademinë e Arteve, dhe ato postdiplomike në Pedagogjinë Muzikore, për t'u bërë më vonë edhe nxënës në klasën e legjendës së filmit Faruk Begollit, në Akademinë për Aktrim dhe Regji.

Ish-deputeti rom i Kuvendit të Kosovës, për disa mandate, që të enjten ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare, po ashtu kishte diplomuar në romologji në Universitetin e Sorbonës në Paris, shkruan Gazeta Express. 

Por, para se të merret me politikë, ku përfaqësoi komunitetin e tij, për disa vite, sa ishte i ri, Kujtim Paçaku punoi si arsimtar në një shkollë fillore në Suharekë, e më vonë ligjëroi edhe në shkolla verore të organizuara për pjesëtarët e komunitetit rom në Kosovë, pjesë e të cilit ishte. 

Pas luftës, Paçaku ishte angazhuar edhe si gazetar në një media multietnike, e më vonë drejtoi edhe një OJQ që mbronte të drejtat e komunitetit. Ai ishte shpallur edhe ambasador i paqes në Ballkan, për këso lloj angazhimi në të drejtat e komunitetit rom dhe komuniteteve tjera pakicë. 

Ish-deputeti tashmë i ndjerë u mor edhe me shkrime letrare e poezi, duke botuar edhe libra, shkruan Gazeta Express. 

Lajmin për vdekjen e Kujtim Paçakut e dha të enjten kryeparlamentari Kadri Veseli, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës. /GazetaExpress/

    Data: 17 Maj 2018 10:54
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera