Kthehu lart

Kur përreth Adriatikut s'kishte vend për turistët

Kur përreth Adriatikut s'kishte vend për turistët GazetaExpress

Kur vinte vera ishte problem te gjindet vend në hotelet bregdetare të qyteteve jugosllave.

Ato vërshoheshin nga turistët e huaj e vendor.

Gazeta Rilindja shkruante se në hotelet bregdetare, në vlug të sezonit, s’ka vend , sic thotë shprehja e njohur ‘as për ilaç’.

E në vitin 1985 bregdeti i Adriatikut ishte pikësynimi kryesor i turistëve.

Por, gazeta Rilindja shprehte shqetësimin se turistët vendas po diskriminoheshin shkaku i vizitorëve të huaj.

Madje as rezervimet nuk kryenin punë për banorët vendas, sepse hotelistët u jepnin përparësi gjithmonë turistëve të huaj.

"Me këtë, s’do mend, dukshëm ngushtohen zgjidhjet e mysafirit të vendit, e me çmime vërtet të larta, po kështu edhe mundësitë. Në këtë situatë, mbase, shumica do të orientohet në kërkimin e zgjidhjeve të tjera. Në bregdet ekziston mundësia për t’u vendosur në sektorin privat para edhe pas sezonit kryesor turistik, kur dukshëm zbriten çmimet. Çmimet e hoteleve në sezonin kryesor janë bërë sikur me qëllim të debimit të mysafirit të vendit."

Çmimet dhe ofertat turistike për pushimet verore sipas gazetës Rilindja pritej të ishin 40 deri 50 për qind më të shtrenjta se ato të vitit paraprak.

Rilindja theksonte se çmimet e larta të hoteleve janë një tregim në vete.

Përjashtim bënte oferta e hoteleve private, të cilat ishin shumë më të lira.

Madje, ish-organi i Lidhjes Socialiste të Kosovës tregonte se si mund të bëheshin rezervimet.

“Pushimi i kombinuar ka zgjuar interesimin edhe tek kosovarët. Qysh tash mund të drejtoheni në agjencinë “Turist – Kosova”, ku siç jemi informuar, mund t’i bëni rezervimet për disa vendpushime në Mal të Zi. Në Tivat, Ulqin dhe Beçiq bujtja, varësisht prej kategorisë së dhomave të sektorit privat, është 450 deri 900 dinarë.”

Gazeta Rilindja shkruante edhe për një lloj tjetër të pushimeve verore.

Auto-kampet dhe kampingu malor kishte shënuar rritje të vizitave nga turistët.

"Kampingu përditë e më shumë josh si të motorizuarit, ashtu edhe të rinjtë nga vendi dhe bota. Auto-kampet përgjatë bregdetit Adriatik lindin sikur këpurdhat pas shiut. Gjykuar sipas çmimeve të cilat ofrohen, kjo mënyrë e pushimit familjar është ndër më të përshatshmet për buxhetin familjar":

Rilindja e përmbyllte shkrimin duke thënë se në sezonin e sivjetëm turistik, aspekti material do të ngadhënjejë mbi dëshirat e turistëve.

    Data: 13 Qershor 2018 20:06
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera