Kthehu lart

Përplasja për ushtrinë: Jakup Krasniqi e nxjerr në rrenë Ramush Haradinajn, i jep të drejtë LDK-së

Përplasja për ushtrinë: Jakup Krasniqi e nxjerr në rrenë Ramush Haradinajn, i jep të drejtë LDK-së GazetaExpress

Në Kuvendin e Kosovës sot pati përplasje mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe LDK-së. I pari i Qeverisë fajësoi LDK-në se e ka lënë vendin pa ushtri pasi nuk kishte pranuar një kusht në Ambasadën amerikane në vitin 2014. Ismet Beqiri mohoi se ajo që tha kryeministri ishte e vërtetë, ndërsa tha se për këtë dëshmitar është edhe Jakup Krasniqi. Ky i fundit i ka dhënë të drejtë LDK-së, duke thënë se në atë takim nuk është përmendur ushtria

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, në seancën e sotme plenare ka dhënë detaje nga takimi i 2014-ës mes përfaqësuesve të partive politike në Ambasadën e SHBA-së.

Beqiri tha se në takimin me Jacobson, atyre iu ishte kërkuar që deputetëve serbë t’iu shtohen mandatet në Kuvend, në mënyrë që të krijohej ushtria e Kosovës, gjë të cilën e kishte kundërshtuar LDK-ja dhe kryeparlamentari i atëhershëm, Jakup Krasniqi.

Në një prononcim për Indeksonline, Jakup Krasniqi ka thënë se nuk i kujtohet që atë kohë të kenë diskutuar për ushtrinë.

“Atëherë kanë qenë tri takime që janë mbajtur me krerët e partive politike për Gjykatën Speciale. Një në Ambasadën e SHBA-së, një në Zyrën e BE-së e një në rezidencën gjermane. Tema bosht ka qenë Gjykata Speciale. Për të cilën gjë i vetmi kam qenë kundër. Nuk më kujtohet se kemi biseduar për ushtrinë”, ka theksuar Krasniqi.

Sipas tij, vendet e rezervuara për serbët në Kuvendin e Kosovës nuk janë varur nga ai.

“Çështja e vendeve të rezervuara nuk është varur nga unë, edhe pse kam qenë kundër. Por, edhe kjo çështje do të shkonte si Gjykata Speciale, sikur mos të kundërshtohej nga LDK-ja. Atëherë VV-ja nuk ftohej”, ka thënë tutje Krasniqi.

    Data: 14 Mars 2018 12:53
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera