Kthehu lart

Ish-spitali i mushkërive në Kaçanik strehë për të varfrit, banorët jetojnë në kushte ekstreme

Ish-spitali i mushkërive në Kaçanik strehë për të varfrit, banorët jetojnë në kushte ekstreme Arlena Krivenjeva Autori: Arlena Krivenjeva GazetaExpress

Disa kilometra larg qytetit të Kaçanikut, në objektin e ish-spitalit, aty ku dikur mjekoheshin të sëmurët nga mushkëritë, po strehohen katër familje. Pa ujë të pijshëm, shpesh herë edhe pa rrymë, madje edhe pa banjë, jeta për ta nuk është aspak e lehtë. Por, skamja me të cilët luftojnë e sëmundjet kanë mbetur në mëshirë të fatit e të njerëzve vullnetmirë. Në anën tjetër komuna dhe AKP-ja janë në kontest gjyqësor për pronësinë e objektit. Kaçaniku me 34 mijë banorë ka më shumë se 800 familje me asistencë sociale

Ka njëzet vjet prej kur vendi ku gërshetohen dy rryma të ajrit, e objekti që deri në vitin 1978 ishte përdorur si spital për të sëmurët me tuberkuloz, është bërë strehë për shumë familje. 

Pa asnjë rrugë zgjidhje tjetër, në objektin tashmë të shkatërruar janë improvizuar disa dhoma në të cilat jetojnë 15 persona.

Në të ftohtë e larg qytetit, shpesh herë pa rrymë, e çdo ditë pa ujë për të pirë e për nevoja personale, jeta e tyre vazhdon pa shumë shpresë se mund të gjejnë një zgjidhje.

Gazeta Express sot gjatë ditës ka qëndruar në Kaçanik nga ku katër familjet kanë dhënë rrëfimin e tyre. 

Gati pesëdhjetë vite më parë, në dhomën ku momentalisht Bahrie Berisha është duke rritur dy fëmijët e saj, vendi ishte përdorur si kuzhinë për të ushqyer të sëmurët e shtrirë në spital. 

Tani dritaret të mbuluara me najlon për të mos hyrë i ftohti, një çezmë e improvizuar e një dritë e vogël janë shtëpia e katër personave. 

Me asistencë sociale, e me dy fëmijë në shkollë, dy prindërit e kanë të vështirë jetën, sidomos kur çdo ditë luftojnë edhe me disa sëmundje.

Dy banoret qe po strehohen me familjet ne spital

Bahria, që po priste fëmijët teksa ktheheshin nga shkolla rrëfen se ka tetë vjet që jeton në këtë dhomë. Një herë kishte pasur edhe probleme me paratë që merrte nga sociali, e shpesh herë thotë se nuk kishin pasur as rrymë.

“Socialin ma kanë pas nal kur i pat bo çika pesë vjet po e ndreqën shkaku që unë jam e smutë prej veshkave prej unazave, jemi që tetë vite këtu ma herët kemi qenë nëpër shpija me qira. Këtu ka pas shumë familje, po tash kanë shku, njëra e ka pas djalin e smutë ja kanë mundësu e kanë qit prej ktu”, thotë, duke shpjeguar për rrugën që merr çdo mëngjes që t’i sjellë familjes ujë të pijshëm, pasi që në objektin e madh edhe kjo nevojë është luks.



“Kushtet janë shumë keq sidomos dimrit ujin e kemi poshtë te xhamia qaty marrim me pi, këtu është një si bunarë si bazent po ska ujë, edhe për me la e marrim ujin me kofe edhe e nxehim, as banjo s’ka katastrofë e këna ndreqë një dhomë të vogël hamamxhik si përpara”, e në një dhomë tjetër të spitalit kanë improvizuar edhe një banjë.

Ajo shpjegon se i duhen gati një orë për të arritur në qytet, për dy fëmijët e saj që kanë larg shkollën detyrohet të paguajë transport për të shkuar deri në mësim. 

Përderisa nëna e dy fëmijëve merr një ndihmesë të vogël nga sociali, afër saj, Rufie Terziu që po hyn në vitin e shtatë të jetës në këtë vend, me burrin e katër fëmijët momentalisht po mbijetojnë me një shumë të vogël të parave që marrin nga shitja e hekurave. 


Nga këto kushte, madje është detyruar që nga shkolla të ndalojë edhe njërën nga vajzat. 

“Unë i kam kushtet shumë të këqija çka të fitojmë prej hekrave, katër fëmijë i kam, njërën e kam ndal prej shkollës. Skemi as social, ma kanë ndal prej kur janë rrit fëmijët, veç kur shet hekra kur mundet me gjetë, spo mundemi hiq se edhe kombin duhet me me ja pagu qikës me shku shkollë, spo këna çka me hangër as çka me veshë. Unë i baj shtatë vjet tash që jam këtu më ka pru komuna prej Sllatinës”, thotë Rufia, duke thënë edhe kjo se i ka sjellë probleme të mëdha bartja e ujit nga larg. 

Asnjë nga familja e saj thotë se nuk janë të aftë për të kryer ndonjë punë, ndërkaq, mbajnë shpresë se siç iu është premtuar dikur se do t’i ndihmojë dikush për të ndryshuar vendbanimin, në të kundërtën jeta e tyre do të vazhdojë edhe më tutje aty.
Me dyer e dritare e çatitë që ishin shkatërruar ndër vite, ju ka mbetur pak shpresë se do të gjejnë ndonjë zgjidhje.


Nëna e dy djemve që tashmë ka bërë gati një dekadë në atë vend, i tha Gazetës Express se tashmë është pajtuar me fatin e saj se do të mbetet aty për tërë jetën, pasi që nuk sheh zgjidhje te askush.

“Kushte skena as ujë as kurgjo hiq këtu, sen skemi, katër antarë jemi. Spunojmë sen veç me social”, thotë Shevale Laqi. Tutje ajo shton se kishte edhe shumë familje të tjera të cilat ndër vite kishin bërë ndonjë zgjidhje, por, fati i njëjtë nuk qe edhe për ta.



“Për kushte shumë keq, ftoftë bohet na me shishe duhet larg me shku me marrë ujë, spo maj ymyt tash mo që na nimon dikush, spo vijnë as me na kshyr veç na kanë vendos edhe sen, edhe pa rrymë kaniher e lëshojnë kaniher jo. Vijnë vendosen dalin unë jes vetë ka me ardh ni ditë ka me met vetë qetu, mdoket veç unë isha nem a ma ka shkru zoti, 9 vjet këtu sjanë pak ke borë ske borë duhet me shku larg me mush ujin ftoftë”, thotë, duke u shprehur se kanë nevojë për të shkuar edhe për mjekim, pasi që vuajnë nga disa sëmundje, megjithatë, kjo iu pamundësohet shkaku i kushteve të këqija. 

Të tri gratë kanë vetëm një lutje, për zgjidhje sa më të shpejtë e ikje nga ky vend, tek i cili nuk shpresojnë që ndonjëherë do të përfundojë dikush. 

Komuna e Kaçanikut që sipas regjistrimeve ka 34 mijë banorë ka një numër të madh të familjeve që marrin asistencë sociale.


Tashmë të regjistruara janë më shumë se 800 familje që jetojnë nga ndihma e socialit.
Këta të fundit po mohojnë se i kanë strehuar në atë vend vetë familjet, ndërkaq, shprehen se nuk kanë ndonjë plan për atë vend shkaku se tashmë prona është në konstest gjyqësor.

  • Komuna e Kaçanikut e AKP 

Që nga viti 2012, vendi ku po strehohen familjet është në kontest gjyqësor në mes të Komunës së Kaçanikut dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit. 

Në atë vit, AKP e kishte paditur komunën për vërtetësim pronësie. 

“AKP e ka paditur Komunën e Kaçanikut për vërtetim pronësie për pronën ku Organizata Punuese “Sankos” e ka zhvilluar veprimtarinë prodhuese në objektet e ndërtuara në disa ngastra kadastrale, për të cilat ngastra Agjencia ka informata të detajuara. Pra, AKP është në kontest me komunën në lidhje me pronësinë. Sipas të dhënave që posedon Agjencia, pronat kanë status shoqëror, megjithatë Agjencia po e pret vendimin e Gjykatës”, kanë deklaruar nga AKP për Gazetën Express.
Shkalla e parë kishte vendosur në favor të komunës, ndërkaq tashmë rasti është në Apel.

“Padia për vërtetim pronësie kundër Komunës se Kaçanikut është ngritë/dorëzuar në Gjykatën Themelore Ferizaj – Dega në Kaçanik me datë 27.01.2012. Ndërkaq me datë 01.06.2015 është ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë ndaj Aktgjykimit të Gjykatës Themelore Ferizaj-Dega në Kaçanik”, deklaruan se momentalisht po presin vendim e gjykatës. 

Nga Komuna në anën tjetër i kanë thënë Gazetës Express se edhe ata janë duke pritur për një vendim për të vendosur çka do të vazhdohet më tutje. 

Sanatoriumi, siç njihet gjendet në lindje të Kaçanikut, sipas ekspertëve shëndetësorë aty takohen dy klima dhe është e preferueshme për të sëmurët nga TBC-ja. Për këtë qendër, ndërkaq nga MSH nuk ka ndonjë plan funksionalizimi./GazetaExpress

    Data: 12 Mars 2019 18:26
    Autori: Arlena Krivenjeva

    Të tjera