Kthehu lart

E pranon Vuçiq: Për Perëndimin, Kosova çështje e mbyllur, ajo është e pavarur

E pranon Vuçiq: Për Perëndimin, Kosova çështje e mbyllur, ajo është e pavarur GazetaExpress

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shpreh i zhgënjyer me mungesën e përkrahjes nga shtetet perëndimore, të cilat, sipas tij, nuk duan në asnjë mënyrë ta vënë në diskutim se kujt i takon territori i Kosovës.

Vuçiq tha për Televizionin serb “RTS”, se Perëndimi e konsideron të mbyllur çështjen e Kosovës.

“Situata është e vështirë. Serbët po mbahen, por do të jetë e vështirë për ne”, tha ai.
“Nuk jam i kënaqur. Kam pritur mirëkuptim më të madh jo vetëm për serbët në Kosovë, por edhe për Serbinë”, ka thënë Vuçiq nga Nju Jork.

“Gjatë po flasim për të ardhmen e Serbisë, lidhur me Kosovën dhe po përpiqemi të gjejmë një kompromis. Pala shqiptare është duke bërë punën e saj, sikurse edhe bashkësia ndërkombëtare, unë u përpoqa ta nxirrja Serbinë nga humnera në sipërfaqe, qoftë edhe nëse goditemi nga erërat e stuhisë. Nuk jam i kënaqur “, tha Vuçiq

Ai vuri në dukje se kishte shumë biseda të thella me njerëzit që vendosin për shumëçka.

“Duket se ata janë të vendosur në parimin e respektimit dhe ruajtjes së pavarësisë së Kosovës, gjë që është shumë e vështirë për ne”, tha  presidenti serb.
Ai shtoi se gjatë një interviste me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, i ka thënë atij se Serbia është e gatshme për kompromis, por se nuk do të sakrifikojë interesat e saj.

“Kjo ndodhi pas tri ditë takimesh të mundimshme dhe aspak të lehta, për të cilat nuk mund të flas shumë. Për të përgatitur një platformë për qytetarët tanë, më duhet të marr mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo për mua ishte një zhgënjim. Na mbetet të vazhdojmë të luftojmë. Kur veproni me përgjegjësi, rezultatet do të vijnë”, theksoi ai.
“Më duket se vendet perëndimore nuk duan të flasin në asnjë mënyrë se kujt i takon territori i  Kosovës. Ata e konsiderojnë këtë çështje të përfunduar”, tha Vuçiq.

“Për ta, çdo bisedë për këtë çështje do të thoshte hapje e kutisë së Pandorës. Kudo që shkova, nuk shkova në ndonjë ofensivë diplomatike, por ua shpjegova atë që ishte e drejtë. Thashë se ata e hapën kutinë e Pandorës duke mos respektuar Rezolutën 1244”, tha presidenti Vuçiq, duke shtuar se “ne sot po paguajmë çmimin e vendimeve tona të gabuara në të kaluarën”. 

    Data: 22 Mars 2018 07:11
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera