Kthehu lart

​A do t’ua ndryshojnë mendimin Haradinajt e Ismailit vdekjet në QKU? 

​A do t’ua ndryshojnë mendimin Haradinajt e Ismailit vdekjet në QKU?  GazetaExpress E mërkurë, 13 Shtator 2017 12:24

Heroike e konsideroi punën e mjekëve në QKUK, kryeministri Ramush Haradinaj në vizitën e tij të parë në Emergjencë, si shef i ekzekutivit, të hënën mbrëma. Vetëm pak orë pas kësaj vizite e vlerësimi, në QKUK ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta një grua, e gjashtë ditë para saj të njëjtin fat e kishin edhe tre pacientë tjerë. 

Katër pacientë kanë ndërruar jetë brenda pak ditësh, pasi janë nxjerrë nga sallat e operacionit në klinikat kirurgjike të Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë. Te gjitha këto raste tashmë po hetohen nga Policia dhe Prokuroria e Shtetit, pasi janë konsideruar të dyshimta, për shkak të mënyrës përafërsisht të njëjtë që kanë ndodhur. 

Te katër pacientet, në QKUK, kanë ndërruar jetë pasi janë dalë nga sallat e operacioneve, dhe nuk i ka lëshuar anestezioni, shkruan Gazeta Express. 

Tri prej këtyre rasteve kanë ndodhur javën që shkoi. Dhe pa marrë parasysh këto, kryeministri i ri i vendit Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe Ministri i Shendetsësië Uran Ismajli, në vizitën në QKUK, që bëri natën vonë të ditës së tij të parë të punës, nuk hezitoi ta quaj heroike punën që bëhet në institucionin më të madh të shëndetësisë në Kosovë, e që kohë pas kohe ka qenë në fokus të skandaleve dhe kushteve të vështira të punës, në vitet e fundit. 

“Falënderoj personelin mjekësor në të gjitha nivelet për një punë vërtet heroike dhe që gjithë kohën jeni në presion dhe në vështirësi. Së dyti u them se nuk do t’ju lëmë vetëm, pra dua të jem me ju që ta përmirësojmë gjendjen në shëndetësi”, i kishte thënë kryeministri Haradinaj, drejtorit Curr Gjocaj, dy net më parë. 

Të nesërmen pas kësaj vizite, në QKUK ka ndodhur rasti i katërt i një vdekje të dyshimtë të një gruaje. Burri i së cilës ka raportuar rastin në Polici. 

Megjithatë, në QKUK thonë se vetëm dy raste janë të dyshimta, por që demantohen nga Policia.

“Në drejtorinë rajonale të Policisë në Prishtinë me urdhër të prokurorit po hetohen katër raste të dyshimta të vdekjeve në QKUK”, ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Prishtinë, Florie Ahmeti. 

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili të mërkurën ka kërkuar hetim të këtyre rasteve.

“Në asnjë rrethanë nuk do të tolerojmë më neglizhencën apo çfarëdo veprimi tjetër, që e ndalë progresin në shëndetësi”, ka deklaruar ai ndër tjera. 

“Shërbimet e sigurta mjekësore dhe trajtimi i dinjitetshëm, janë e drejtë e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe çfarëdo tentimi për të dëmtuar shërbimet për përfitime, apo për të neglizhuar situatat, do të ndëshkohet”, ka shtuar Ministri Ismaili. /GazetaExpress/. 

    Data: 13 Shtator 2017 12:24
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera