Kthehu lart

49 milionët amerikanë, projektet e para realizohen në fillim të vitit të ardhshëm

49 milionët amerikanë, projektet e para realizohen në fillim të vitit të ardhshëm GazetaExpress

Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) dhe Qeveria e Republikës së Kosovës lansuan sot në Prishtinë, Fondacionin Kosovar të Mijëvjeçarit, entitet i themeluar për të implementuar projekte në vlerë 49 milionë dollarë, asistencë nga Qeveria Amerikane.

Entiteti që do të implementojë projektet prej 49 milionë dollarësh të Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) është lansuar sot në Prishtinë, përmes një konference të nivelit të lartë, ku morën pjesë dhe folën Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, zëvendësambasadorja në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Colleen Hyland, kongresisti amerikan, Eliot Engel, dhe Zyrtari Kryesor Operues i MCC, Jonathan Nash.

Në këtë ngjarje kryeministri i vendit Ramush Haradinaj u shpreh i bindur që projektet e aprovuara nga MCC për asistencë në rritjen ekonomike të Kosovës, do të tregojnë rezultatet e duhura, duke i hapur Kosovës rrugë për bashkëpunime të reja dhe investime më të mëdha.

"Në bisedë me miqtë tanë në Amerikë, jam siguruar që nëse Kosova vazhdon me trendin e përmirësimit të indikatorëve kryesorë demokratikë të vendit tonë, mundësitë për bashkëpunime të mëtejme dhe investime shumëfish më të mëdha janë të sigurta", ka thënë kryeministri Haradinaj në fjalimin e tij, duke falënderuar mysafirin special të kësaj konference z. Eliot Engel, kongresist amerikan, dhe figurë e rëndësishme e proceseve politike të vendit tonë. 

Ndërkohë, ambasadorja në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, zonja Colleen Hyland foli për rrugën e MCC-së drejt Kosovës dhe falënderoi ekipet e angazhuara në Uashington dhe Prishtinë, për punën e madhe që kanë bërë për të arritur deri te projektet e aprovuara dhe lansimin i këtij entiteti.

Për punën e madhe të bërë nga të gjitha ekipet e angazhuara ka folur edhe Drejtuesi Global i MCC, Jonathan Nash. Ai mes tjerash ka folur për rëndësinë strategjike të këtij kapitulli të ri në investimet amerikane në Kosovë.

Kurse kongresisti Eliot Engel, në një tregim tepër emocional, ka folur për historinë e tij me Kosovën dhe njerëzit që e kanë mirëpritur atë që nga vitet e 90-ta.
Fjalimet e hapjes janë moderuar nga Koordinatori Nacional i Zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit pranë Zyrës së Kryeministrit, Petrit Selimi, i cili është përgëzuar nga të gjithë folësit për punën e mirë në krijimin e ekipit dhe asistencën profesionale në drejtimin e ekipit, hulumtimin dhe dizajnimin e projekteve investuese. 

Pas fjalimeve, konferenca ka vazhduar me tri panele të planifikuara, ku kanë marrë pjesë zonja Senida Mesi, zëvendëskryeministre në Qeverinë e Shqipërisë, Tim Judah, autor dhe kontribues për gazetën The Economist, Marco Mantovanelli, drejtues regjional i Bankës Botërore, Alessandra Roccasalvo, zëvendës reprezentuese në UNDP në Kosovë, Agon Maliqi, analist i pavarur, Stefan Osborne, ekonomist kryesor nga MCC si dhe Hira Sidiqqui, menaxhere e programit Social Impact, program që ka bërë gjetjet e reja statistikore rreth punësimit në Kosovë.

Përveç paneleve, në këtë konferencë është publikuar edhe Analiza e Ngecjeve të Kosovës, një raport që hedhë dritë mbi arsyet e ngecjes ekonomike në Kosovë.
Dy projektet madhore investuese të MCC-së në Kosovë janë projekti i Qeverisjes Transparente dhe të Përgjegjshme, si dhe ai i krijimit të një peizazhi të besueshëm të furnizimit me energji elektrike.

Mungesa e transparencës në institucionet publike dhe furnizimi me energji elektrike nga burime jostabile, janë identifikuara si çështje të cilat e kanë ngecur zhvillimin ekonomik në Kosovë.

MCC dhe Zyra e Kryeministrit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, kanë themeluar ekipin punues për hulumtim dhe dizajnim të projekteve në fillim të vitit 2016. Ekspertët e Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit në Kosovë dhe përfaqësuesit e MCC nga Uashingtoni, kanë kryer një numër vizitash në Kosovë dhe janë takuar me disa qindra bashkëfolës nga komuniteti i donatorëve, institucione kosovare, shoqëri civile si dhe përfaqësues të biznesit. Kosova është parakualifikuar për programe të MCC në nëntor të 2015-ës, ndërsa projektet e para do të aprovohen dhe fillojnë së implementuari në fillim të vitit 2018.

    Data: 20 Nentor 2017 16:00
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera