Kthehu lart

Zyrtari gjerman flet për hapjen e negociatave me Shqipërinë

Zyrtari gjerman flet për hapjen e negociatave me Shqipërinë GazetaExpress

Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Christian Lange gjatë vizitës në Shqipëri bëri thirrje për luftë ndaj korrupsionit dhe thellimin e reformave të nisura.

Sipas tij këta janë elementë tepër të rëndësishëm për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Ai theksoi se korrupsioni shkatërron ekonominë e tregut dhe është shqetësim për jetën e qytetarëve shqiptarë.

I pyetur në lidhje me hapjen e negociatave për Shqipërinë në qershor ai tha se nuk mund të japë përgjigje, por shtoi se progresi në sistemin e drejtësisë dhe përshpejtimi i reformave janë një hap i rëndësishëm në këtë vendimmarrje.

“Korrupsioni është kundër zbatimit të së drejtave të njeriut. Korrupsioni shkatërron ekonominë e tregut, gjë të cilën pata mundësinë të informohem. Investitorët gjermanë më sollën në vëmendje se problemi kryesorë që kanë është korrupsioni. Natyrisht që korrupsioni është shqetësim edhe për jetën publike të qytetarëve shqiptarë, korrupsioni mbështet krimin e organizuar, terrorizmin dhe është risk për aparatin e sigurisë.

Korrupsioni në sistemin e drejtësisë pengon qasjen në gjyqësor, që është baza për sistemin e drejtësisë dhe për një proces të ndershëm. Vazhdimi i zbatimit të procesit të Vetingut është shumë i rëndësishëm. Ky proces jo vetëm duhet vazhduar, por edhe duhet përshpejtuar. Sot nuk mund të jap një përgjigje lidhur me vendimin për hapjen e negociatave. Ajo që mund t’iu them është që progresi në sistemin e drejtësisë, përshpejtimi i reformave është një nga hapat e rëndësishëm që do ketë ndikim në këtë vendimmarrje”, tha ai.

Sipas Lange ky është një vendim unanim që merret nga shefat e qeverive dhe të shteteve të BE.

“Edhe shtete të tjera anëtare do të hedhin vështrimin nga sistemi i drejtësisë i Shqipërisë, ndaj ky sistem është i rëndësishëm. Bllokadat politike nuk ndihmojnë për progresin e vendit. Ne vijmë nga kultura të ndryshme politike, ne në Gjermani jemi të drejtuar drejt konsensusi, gjë që nuk e konstatoj në Shqipëri”, theksoi Lange.

    Data: 13 Qershor 2018 13:14
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera