Kthehu lart

Paradokset e letrave shqiptare... rezulton të ketë 1 mijë qytetarë mbi 100 vjeç

Paradokset e letrave shqiptare... rezulton të ketë 1 mijë qytetarë mbi 100 vjeç GazetaExpress

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, gjatë një takimi që zhvilloi dje me prefektët, kryetarët e Njësive Vendore dhe të Gjendjes Civile deklaroi se sot çdo shtetas shqiptar ka një adresë të vlefshme.

Sipas tij, që nga viti 2004, kur numëroheshin rreth 300 mijë shqiptarë pa një adresë të saktë, sot ky numër po shkon drejt zeros. Ndërsa u ndal edhe te regjistrimi i saktë i qytetarëve, duke veçuar ata që janë mbi 100 vjeç. Sipas Lleshajt, sot numërohen mbi një mijë persona që janë mbi këtë moshë, por ata duhet të verifikohen në terren.

“Për sa u përket personave me moshë mbi 100 vjeç për shembull, të cilët janë të përcaktuar, por që përveç se duhet të jenë të përcaktuar nga regjistri, duhet të përcaktohen dhe në terren dhe strukturat e Gjendjes Civile, në bashkëpunim edhe me të tjerë me Policinë e Shtetit dhe strukturat e tjera vendore. Duhet që të verifikojnë realisht në terren praninë e numrit të mbi 100-vjeçarëve, që sipas të dhënave është një numër impresionues, janë mbi 1 mijë veta, por duhen verifikuar realisht në terren se ku janë, kush janë, në mënyrë që të mos kemi dhe pasaktësira në këtë proces”, tha Lleshaj.

ADRESAT

Në mbledhjen e mëparshme për regjistrimin e adresave dhe listat e zgjedhësve, të zhvilluar më 21 dhjetor të vitit të kaluar, u evidentua si problematikë e madhe numri i shtetasve shqiptarë, që nuk kishin një adresë të vlefshme në regjistrin e Gjendjes Civile. Një numër, i cili vijonte që prej vitit 2004 të ishte ekstremisht i lartë, rreth 300 mijë qytetarë shqiptarë nuk kishin një adresë.

“Po flitet që nga viti 2004 deri në vitin 2018. Në datën 21 dhjetor 2018, ne jemi mbledhur këtu dhe kemi kërkuar që të gjithë drejtuesit e pushtetit vendor, zyrat përkatëse të Gjendjes civile, prefekturat, Policia e Shtetit, të gjithë aktorët të angazhoheshin në një aksion të rëndësishëm, i cili kishte për qëllim që çdo shtetasi shqiptar t’i jepte edhe një adresë bashkë me identitetin e tij, pra ta kompletonte identitetin e çdo qytetari të këtij vendi edhe më një adresë të vlefshme”, tha dje Lleshaj.

Sipas tij, ndonëse pritshëmria për të mbyllur këtë proces brenda shkurtit të këtij viti u duk e tepruar, rezultati flet ndryshe. “Ishte e mundur, u realizua objektivi i madh kombëtar, që shtetasit shqiptarë të kenë një adresë të vlefshme dhe sot rezulton një gjendje krejtësisht e re ku pothuajse nga 300 mijë shqiptarë që në dhjetor 2018 nuk kishin një adresë të regjistruar, sot ky numër ka shkuar pothuajse drejt zeros. Sigurisht drejt zeros, por jo zero për arsye se ka disa raste të shkëputura, por në nivel qarku, 4 vetë kanë mbetur në një qark, 22 në një qark tjetër, nuk po i përmend qarqet për të mos i vënë në pozitë të vështirë, 38, 90, 4, 16, 30, 2809, 55, 44. Pra, është vetëm një qark që është në këtë nivelin 2809 persona pa adresë dhe ky është në fakt ai qarku, për të cilin kam dobësinë më të madhe, Qarku i Shkodrës, por kështu është fakti dhe këtij fakti s’mund t’i fshihemi dhe shpresojmë që personat përgjegjës, kryetarët e bashkive, drejtuesit e zyrave përkatëse të Gjendjes Civile, bashkë me zyrat urbanistike, të marrin masat që këtë ta çojnë në zero përpara se ne të jemi të detyruar për të aktivizuar masa të tjera të karakterit ligjor, të cilat do të bëjnë të mundur të detyrojnë këtë punë, për arsye se kjo nuk është një çështje e vullnetarizmit të kujtdo, por është një detyrim ligjor, i cili, siç dini edhe ju, duhet të kishte mbaruar në vitin 2016, por më mirë vonë se kurrë”, u shpreh Lleshaj./panorama

    Data: 12 Mars 2019 21:07
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera