Kthehu lart

PAMECA V, Xhafaj: Rol të rëndësishëm, fshihet pas shumë operacioneve

PAMECA V, Xhafaj: Rol të rëndësishëm, fshihet pas shumë operacioneve GazetaExpress

Nis zbatimi i programit PAMECA V, i Misionit të Bashkimit Europian, dedikuar ndihmës dhe asistencës për Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë.

Në ceremoninë e zhvilluar, i pranishëm ka qenë Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit si dhe ambasadorë të vendeve të Bashkimit Europian që mbështesin projektin.

Në fjalën e tij Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, vlerësoi rolin e rëndësishëm që PAMECA ka luajtur me asistencën e saj në hartimin e Dokumentit Politik të Prioriteteve të Ministrisë së Brendshme.

"Në vijim, për jetësimin e këtij dokumenti dhe rekomandimeve të mësipërme, u konceptua dhe nisi puna për Operacionin “Forca e Ligjit”. Puna që është bërë për përgatitjen e bazës ligjore dhe operacionale, pa të cilën do të kishte qenë e pamundur nisja e Operacionit “Forca e Ligjit”, është edhe kontribut i një asistence të nisur që më herët, nga grupi i partnerëve ndërkombëtarë. PAMECA natyrisht ka qenë pjesë aktive e çdo tryeze konsultimesh, teksa kemi vlerësuar dhe reflektuar komentet mjaft të vlefshme të saj të dërguara në nëntor 2017, mbi draft-planin e veprimit. Vlerësoj gjithashtu kontributin e ekspertit të PAMECA-s pranë Task Forcës Speciale lidhur me përgatitjen e bankës së pyetjeve të nevojshme, lidhur me procesin e rekrutimit të ekspertëve të Task Forcës Speciale" tha ministri Xhafaj.

Ai theksoi se programi PAMECA ka një rol kyç në thellimin e  bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe vendeve partnere të Bashkimit Europian në luftën kundër krimit të organizuar.

"Kam qenë gjithmonë i bindur se shumë nga sfidat që has sot konsolidimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri janë sfida, jo vetëm për autoritetet shqiptare, por dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë. Në përballje me fenomenin e krimit transnacional, përherë kam mbështetur nevojën e një koncepti të ri të bashkëpunimit mes autoriteteve tona ligjzbatuese dhe vendeve e institucioneve partnere europiane. Në këtë drejtim, domosdoshmëri parësore mbetet konsolidimi i besimit mes palëve. Roli i çmuar i misioneve të asistencës si PAMECA, në mbështetje të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ka qenë dhe mbetet i rëndësishëm për të forcuar më tej nivelin e këtij besimi", shtoi ministri Xhafaj.

    Data: 14 Shkurt 2018 11:37
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera