Kthehu lart

Nga një gërmadhë në një institucion modern, ja çfarë ka ndodhur në qytetin e Lezhës

Nga një gërmadhë në një institucion modern, ja çfarë ka ndodhur në qytetin e Lezhës GazetaExpress

Gjatë axhendës dy ditore në Lezhë, aty ku u mbajt edhe mbledhja e parë e qeverisë për vitin 2018, kryeministri Edi Rama mori pjesë edhe në përurimin e ujësjellësit të ri në qytetin verior.

Pamjet e transformimit të këtij institucioni të rëndësishëm për banorët e Lezhës vetë Rama i  ka ndarë sot në profilin e tij në Facebook, ku duket qartë puna që është dashur që furnizimin me ujë për këtë qytete të jetë me standardet ndërkombëtare.

"MIRËMËNGJES dhe me këtë moment kuptimplotë të transformimit rrënjësor të ujësjellësit të Lezhës, falë një pune të madhe e cilësore të përbashkët, ju uroj një ditë të mbare", shkruan Rama. 

Në ceremoni morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Infrastukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, kryetari i Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, ambasadori zvicerian në Tiranë, Christoph Graf, zv.ambasadorja gjermane, Anke Holstein, si edhe funksionarë të tjerë të lartë.

Punimet ndërtuese dhe rehabilituese u bashkëfinancuan nga qeveria Zviceriane me një grant prej 10 milionë eurosh, Qeveria Federale Gjermane, përmes KfW-së me 3 milionë euro dhe Bashkimi Evropian me 250.000 euro, të cilat shkuan për rritjen e kapaciteteve të ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve të Lezhës. Me përfundimin e punimeve, furnizimi me ujë i qytetarëve të Lezhës arriti në 95% nga 80% që ishte në vitin 2014. Gjatë punimeve u shtrinë rreth 128 km tubacione të rrjetit të furnizimit me ujë si dhe u ndërtuan nga fillimi 3 rezervuarë uji. /Gazeta Express/


    Data: 14 Janar 2018 09:16
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera