Kthehu lart

E vetmja e mbetur gjallë e familjes Popa: Nuk u dashurova kurrë, pse s’u lidha me një italian

E vetmja e mbetur gjallë e familjes Popa: Nuk u dashurova kurrë, pse s’u lidha me një italian GazetaExpress

E rrethuar me një mal sendesh të panevojshme, Ermioni Popa i gëzohet televizorit të dhuruar ku mund të shohë më në fund telenovela turke.

Si jeton pjesëtari i fundit i familjes së famshme Popa, që u strehua në Ambasadën Italiane në vitin 1985, pak muaj nga vdekja e diktatorit Hoxha? Ajo rrëfen historinë e arratisë dhe si përfundoi e vetme…

Kur mbërritëm në Durrës, Ermioni Popa nuk ishte në shtëpi. E dinte që do të shkonim, por nuk kishte duruar pa bërë një shëtitje përreth pallateve, aty nëpër lagje. Pastaj, edhe qentë ishin të paushqyer, duhet të dilte t’u hidhte një kafshatë bukë. Dritarja e saj në katin e parë të pallateve parafabrikate, ishte e mbuluar me një batanije leshi që dikur, kur nuk ishte pluhurosur ende, kishte qenë e gjelbër.

Kapëset që e mbanin batanijen të palëvizshme ishin të ngjeshura me njëra-tjetrën në mënyrë që siguria të ishte e qëndrueshme. Ajo nuk arrinte në gjithë gjatësinë e ballkonit, kështu që në njërin prej cepave të tij ishte shtuar një karton i ngushtë e i gjatë. “Femra jemi, normal që do të mbulohemi”, u thotë Ermioni Popa atyre që e pyesin të çuditur për këto “masa sigurie”. Mbi karton, ngre kokë herë njëra mace, herë tjetra.
Duhet të hysh brenda apartamentit, nëse mund të quhet i tillë, për të kuptuar që, në të vërtetë, mace janë më shumë se tre. Dy qentë, vetëm përkohësisht, Ermioni i la jashtë. 

Është e vështirë të përshkruash, sidomos nëse fjalët kanë imazhe shoqëruese, dhomën e ndenjje-fjetjes së motrës së fundit nga gjashtë fëmijët e familjes së famshme Popa. Mbi tavolinën e mbuluar me fletëpalosje marketesh që ishin shpërndarë që në ditën e Bajramit (urohej edhe gëzimi i tij) gjendej një tas me makarona, një tjetër me një gjellë patatesh që tashmë kishte ngrirë, dhe dy lloje bukësh të mbështjella me një qese.
Nuk kishte pjata… pjata gjendej poshtë, mbi një tabaka, e boshatisur nga uria e pandërprerë e maceve. Edhe ato kishin ngrënë makarona. Nuk e kishin fare të vështirë që të hidheshin në tasin e të zonjës, sapo u mbaronte racioni i tyre. Në këtë pikë, Ermioni nuk e kishte problem, ndante gjithçka!

Edhe pse ankohet vazhdimisht, racioni që dhuron kisha, për kafshët tepron gjithmonë. Ermioni Popa është përmendur më shumë se dy herë, këto ditë, në media. Pas intervistës që solli prej saj Ylljet Aliçka, ku theksohej mungesa e dëshpëruar e një televizori për të parë telenovelat turke, Ermioni erdhi edhe një herë në vëmendjen e lexuesve. Këtë herë tërhoqi vëmendjen më shumë skamja sesa vetë historia e saj, që Aliçka e ka sjellë të plotë, në një libër, kohë më parë. Sot, pas botimit të intervistës së parë në gazetën “Panorama”, Ermioni ka përpara divanit të tejmbushur me sende të asnjë lloj dobie, një televizor me ekran të madh, por, sigurisht, jo të sheshtë!

Ka edhe dy të tjerë nën një tavolinë të “zbukuruar” me mbulesa me zambakë çiklaminë e gjithfarë qesesh me “gjëra” të sajat. Sapo i kishin sjellë një palë këpucë “Alviero Martini”, që për fat të keq ishin numri 38 dhe asaj nuk i bënin! Me të tilla objekte që as i bënin, as i duheshin e as i përdorte ndonjëherë, Ermioni e kishte shtëpinë plot. Dhoma që dikur kishte qenë për të fjetur gjumë, po derdhej nga rrobat që nuk visheshin kurrë.
Pirgje të tëra brenda të cilave mund të kishte edhe arinj, ishin në të gjithë sipërfaqen katrore të saj. “Mi falin, por në shumicën e rasteve nuk më bëjnë. Ndonjë e jap, të tjerat i lë këtu. Pse, çfarë të bëj, t’i hedh?! Ku i dihet, mund të më duhen. Dikur flija këtu me motrën, tani fle te divani andej”.

Nëse ia dilje të çaje disa kuti të stërmëdha kartoni në anët e të cilave ishin varur 6-7 çadra të mëdha shiu, zbuloje dhomën tjetër, që qëndronte e mbyllur. Kur ofronin kaq “pamje” ato të hapurat, mendja të shkonte menjëherë te dyert e mbyllura të filmave horror. Prej andej, nëse hapej, mund të dilte edhe një buall! Nuk ndodhi asgjë, përkundrazi! Dhoma e mbyllur që dikur kishte qenë e njërit prej vëllezërve të Ermionit, ishte më e sistemuara. Disa kuti të çuditshme, të mbyllura, edhe aty, qëndronin në qendër të dhomës, njësoj sikur mblidhen mobiliet kur lyejmë muret.

Megjithëse nuk gatuhej, shtëpia kishte edhe aneks. Sipërfaqja e tij ishte e gjitha e zënë me shishe plastike të mbushura me ujë. Hera e fundit që mund të ishin lëvizur prej aty mund të kishte qenë 3 vite më parë. Kjo pamje nuk kishte thuajse asnjë ndryshim me tualetin. Edhe atje, ujë i siguruar, pa fund.

Nëse përdorej, nuk mund ta dimë, por ishte brenda! Ndryshe nga ç’prisnim, televizori i madh për të cilin Ermioni ishte lutur aq shumë, ishte i fikur. Për të, ora 17:00 e pasdites nuk ofronte asgjë në ekran. Po, në 18:15 fillonte “Si ta quaj këtë dashuri”. “Sa është ora?”, bërtiti me të madhe Ermioni, duke ndërprerë veten në mes të fjalisë… Kur e kuptoi që kishte shkuar aq sa për të filluar telenovela, na tha haptazi që duhet të iknim…

Ke kujtime të tuat kur sheh këto serialet me dashuri?

Kush moj, unë? Unë nuk kam bërë asnjëherë dashuri.

Po pse?

Se isha budallaçkë!

Të vjen keq tani?

Si nuk më vjen! Prandaj ju të rinjtë bëni dashuri sa të mundeni. Udhëtoni, kënaquni, shijojeni jetën si t’ju dojë qejfi! E martuar je?

Jo.

Po martohu, çfarë bën?! Ose jo, mos u marto, bëj qejfin tënd, si të të thotë mendja.
Më thanë që të kishin sjellë disa televizorë pasi u botua intervista e Ylljetit…

Kush moj?! Këtë të madhin këtu ma solli një nipi im që jeton jashtë. Të tjerët ku të marrin, çfarë të sjellin? Ja, më sollën edhe këtë të voglin këtu që s’bën për asgjë, as nuk e kam vënë në punë fare. Po tani shyqyr kam këtë, shoh telenovelat, kënaqem. Dje më erdhi një djalë nga Korça, që thoshte se ishte nipi im, por nuk e njihja, duan të marrin ndonjë gjë e kujtohen tani! As unë nuk po marr dot pronat e mia…

Ke shumë prona? Kush t’i ka marrë?

Si nuk kam?! Ja, këta të gjithë m’i kanë marrë e s’po bëj dot asgjë.

Prej sa vitesh jeton në këtë shtëpi?

Erdhëm këtu pasi u kthyem nga Kulla ku ishim të internuar dhe sërish më pas, kur u kthyem nga Italia.

Si ka qenë historia e vajtje-ardhjeve tuaja?

Së pari 5 vite në Ambasadën Italiane e më pas në Itali? Ishte një risk që e morëm të gjithë bashkë, unë, 3 motrat dhe dy vëllezërit. Vinim nga një jetë shumë e vështirë, kaluar në internim, nëna sapo kishte vdekur, babai kishte vdekur shumë vite më parë, në burg. Kjo ishte shpresa e shpëtimit. Qëndruam 5 vite atje dhe të them të drejtën kemi jetuar mirë. Pas ’90- s shkuam në Itali.

Babai juaj është dënuar në vitin 1953, kur ju keni qenë pak më shumë se 10 vjeçe… Kujtoni gjë nga ajo kohë?

Si nuk kujtoj, pse e vogël kam qenë unë? Nuk kuptoja arsyet e vërteta, por e kuptoja që gjendja në familje ishte shumë e rënduar. Babai vuante shumë, siç më tregonte motra. Ajo ka shkuar ta takojë në burg, unë jo.

Pse, më vonë, i kuptuat akuzat që i bëheshin mamasë e babait si bashkëpunëtorë të fashistëve?

Çfarë bashkëpunëtorësh?! Çfarë fashistësh?! Pse nuk thoni që i kanë pasur frikë se ishin njerëz të ngritur, të mençur e me kulturë dhe i zhdukën njësoj siç bënë me shumë të tjerë! Gjyshi im kishte studiuar jurisprudencë në Itali dhe ishte zyrtar i lartë në kohën e Zogut. Babai gjithashtu, e ia njihnin të gjithë përkushtimin e tij në punën si kimist.

Po nëna çfarë ju tregonte pasi doli nga burgu?!

Tortura të tmerrshme. Ka pasur gjoksin e gjakosur kur ka dalë prej andej.

Më duket se paskan të bëjnë telenovelat me dashuri që sheh me ndonjë napolitan…

Çfarë ka ndodhur? Asgjë nuk ka ndodhur, çfarë do të ndodhte! Vetëm se kam respekt për ta, më pëlqejnë. Edhe të donim ne, atëherë s’krijonim dot lidhje me njeri, se, ca kishim vëllezërit shqiptarë tradicionalë e ca ishim pak në moshë vetë. Më duket se paskan të bëjnë telenovelat me dashuri që sheh me ndonjë napolitan…

Çfarë ka ndodhur?

Asgjë nuk ka ndodhur, çfarë do të ndodhte! Vetëm se kam respekt për ta, më pëlqejnë. Edhe të donim ne, atëherë s’krijonim dot lidhje me njeri, se, ca kishim vëllezërit shqiptarë tradicionalë e ca ishim pak në moshë vetë. /panorama/

    Data: 14 Shtator 2017 07:52
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera