Kthehu lart

Berisha i jep një "fije shprese" Topallit dhe kritikëve të Bashës

Berisha i jep një "fije shprese" Topallit dhe kritikëve të Bashës GazetaExpress

Ish kryeministri Sali Berisha ka dhënë një mesazh për Jozefina Topallin dhe të gjithë kritikuesit e tjerë të Lulzim Bashës.

I ftuar në emisionin Fakt, gazetari Peka i ka kujtuar Berishës largimin e Genc Pollos nga PD-ja, ndërsa sot ai ndodhet në krah të Bashës. Por nga ana tjetër Jozefina Topalli nuk e braktisi kurrë Berishën (madje as në vitin 99), ndërsa sot, ka mbetur jashtë PD-së.

Berisha është shprehur se Topallin dhe kritikët e tjerë të Bashës nuk i ka larguar Partia Demokratike, por kryetari i PD-së përmes listës së tij vetjake. Kësisoj Berisha i ka dhënë një “fije shprese” kritikëve të Bashës, duke u thënë se ata duhet të përpiqen që ta zgjidhin këtë situatë me kryetarin e PD-së.

“PD në historinë e saj këtë ka. Ka histori ndarjesh, bashkimesh, tolerancash të gjitha këto së bashku.”-tha Berisha.

Peka i kujtoi Berishës se Genc Pollo që iku nga PD është sot në krah të Bashës, ndërsa Topalli që nuk e braktisi kreun e PD-së as në vitin 1999 u la jashtë saj. Më poshtë përgjigjja e Berishës.

Peka: Kjo është e vërtetë që nuk keni qenë në listën e tyre, por ata në listën tënde. Por në vitin 1999, kur një pjesë e mirë e PD-së linin teserën e PD-së në ambasadat në Tiranë apo te PDR-ja dhe siç shkruante edhe shtypi në atë kohë që edhe kundrejt apartamenteve të ndryshme, e të shikosh sot se të gjithë janë në krahun e Lulzim Bashës, janë kthyer nga PD-ja dhe Jozefina Topalli, e cila ishte e vetmja ndoshta e peshuar në flori nga ambasadorë të ndryshëm që të ju tradhtonte në 1999, ju mbajti. Si ndihet Sali Berisha sot?

Berisha: Edhe një herë e theksoj se kjo është listë e kryetarit të PD-së. As nuk do të më shkonte ndërmend që unë të bëja një listë si kjo. Por duhet të dimë një gjë, se çdo njeri bën listën që mendon. Problemi thelbësor i kësaj liste është që kjo nuk kaloi në forumet e partisë, gjë që nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë më kurrë dhe s’duhet të ndodhë. Çfarë ndodh sot? Ka një armiqësi shumë të egër dhe që uroj të zbutet, për faktin se kryetari e mori përsipër të gjithë përgjegjësinë.

Ata nuk i hoqi partia dhe forumet e partisë, se ata  ndoshta mund dhe të hiqeshin nga forumet e partisë, nuk e dimë këtë, por ata i hoqi personalisht kryetari. Në këtë rast cili është apeli im për ta? Apeli im është, dakord, ky është një gabim për mua i papranueshëm që ju jeni hequr nga listat pa forumet. Megjithëatë, me të gjithë investimin tuaj në PD, kolosal që keni, mendoj se në qëndrimet politike mendoj se duhet tju udhëheqin interesat e PD-së.

Sikundër kryetari mendoj se duhet të ketë një sens përgjegjësie, vetëdije se këta njerëz u hoqën direkt prej tij, jo nga forumet. Pra këta kanë një kauzus ndaj tij dhe duhet të gjejë mënyrën për ti zbutur, për të arritur drejt një situate tjetër. PD në historinë e saj këtë ka. Ka histori ndarjesh, bashkimesh, tolerancash të gjitha këto së bashku./Gazeta Express

    Data: 13 Shtator 2017 20:48
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera