Kthehu lart

U shënua Dita e Komunës së Tetovës

U shënua Dita e Komunës së Tetovës GazetaExpress

Me seancë solemne në sallën e madhe të rinovuar të Këshillit të komunës së Tetovës sot ishte shënuar  3 Marsi – Dita e komunës. Kjo ditë në vitin 2003 ishte zgjedhur  si festë në nder të  formimit të këshillit të parë shumëpartiak të komunës së Tetovës në vitin 1992.

Vonesa dyditëshe e festimit erdhi  për shkak të përfundimit të punëve për rindërtim të sallës. Kryetarja e komunës Teuta Arifi  e cila mbajti fjalim   para të pranishmëve bëri mbikëqyrje të shkurtër të punës që e kanë  përfunduar  këtë vit që kaloi në plan arsimor, kulturor dhe social,  por një pjesë të madhe të fjalimit të saj ia kushtoi  sfidave që i presin në të ardhmen.

“Në këtë vit 2019 Tetova  do të bëhet me bulevarde dhe rrugë të reja. Banka botërore e miratoi projektin  për vazhdim  të bulevardit “Industriska” në gjatësi prej 670 metra  i cili do të kalojë  nëpër Qendrën sportive deri te kazerma  që të lirojë  një pjesë të  komunikacionit të dendur të qytetit. Do të vazhdojmë edhe me depërtim  në bulevardin  “Bllagoja Toska”  për çka gjendemi  në fund të fazës së parë të procesit për shpronësim. Që ta vendosim në funksion  ndërmarrjen komunale për transport publik  u paraqitëm në programin MSIP-2, i cili do të na sigurojë  gjashtë autobusë të qytetit me standarde  më bashkëkohore ekologjike”, tha Arifi.

Në mënyrë të tillë tha ajo, Tetova përfundimisht  do të bëhet me transport të qytetit njëkohësisht duke i zvogëluar  efektet negative  nga ndotja e ajrit dhe bllokimi i trafikut të qytetit.

“Në vitin para nesh qyteti përfundimisht do të bëhet me transport të organizuar i cili kohë të gjatë i ka munguar qytetit.  NKP Tetovë vitin e ardhshëm  do të fillojë me ndërtimin  e qendrës së mbyllur për selektim sekondar të mbeturinave  komunale,  që pa dyshim do ta rrisë  rentabilitetin ekonomik të ndërmarrjes, ndërsa njëherit edhe cilësinë e shërbimeve komunale ndaj qytetarëve. Këtë vit e filluam edhe iniciativën për përpunimin e planit urbanistik të përgjithshëm,  i cili do të paraqesë  udhëheqës për  zhvillimin urbanistik dhe zgjerimin e qytetit në 10 vitet e ardhshme. Përveç të gjitha këtyre projekteve të mëdha për Tetovën ne jemi  në fund të përgatitjes së projektit ideor për gazifikimin e qytetit, ndërsa tashmë në tetor të vitit të ardhshëm presim ta kompletojmë  edhe projektin bazë  për gjithsej 25 km rrjet sekondar për gazifikim të pjesëve urbanistike  realizimi praktik i së cilës dhe ndërtimi  pritet të fillojë në vitin 2020”, paralajmëroi kryetarja e komunës së Tetovës.

Në suaza të shënimit të sotëm të Ditës së komunës individëve meritor,  shoqatave dhe institucioneve u ishin ndarë mirënjohje për kontributin e tyre në promovimin dhe përparimin e jetesës në Komunën e Tetovës. 

    Data: 05 Mars 2019 17:57
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera