Kthehu lart

Gjykatat me "rotacion" të ri për gjykatësit

Gjykatat me "rotacion" të ri për gjykatësit GazetaExpress

Ndryshime të reja në Gjykatën Supreme. Gjykatës nga Penalja transferohen në Njësinë civile dhe anasjelltas.


Nga burimet e saj në Gjykatë mëson se gjykatësi Faik Asllani nga Penalja është transferuar në lëndët civile, ndërsa Shpend Devaja, përndryshe burri i kandidates së BDI-së për kreun e Tetovës, Teuta Arifi, është risistemuar në njësinë penale. Pozitë të re ka edhe ish-kryetarja e Gjykatës Supreme, Lidija Nedellkova.

 Nga njësia për praktikë gjyqësore do të punojë në lëndët civile. Shefi i gjykatës më të lartë Jovo Vangellovski i cili është edhe kumbar i ish-kryeparlamentarit Trajko Veljanovski, orarin e ri e përpiloi kur gjyqësori është kritikuar ashpër në raportin e dytë të ekspertit juridik gjerman Rajnhard Pribe. 

Në dokumentin që doli disa ditë më parë ai dhe grupi i ekspertëve kërkojnë që të përcaktohet përgjegjësia penale tek të gjithë gjykatësit që kanë vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme. 

Theksojnë se shpesh ushtrohet presion ndaj gjykatësve në gjykatë që të plotësohen dëshira politike ndërsa gjykatësit e papërshtatshëm të cilët nuk janë të besueshëm transferohen për gjykime nga Penalja në njësinë Civile. 

Edhe pse Pribe kritikoi ashpër transferimin e shpeshtë të gjykatësve, nga Supremja ndryshimet në orarin i arsyetojnë me përmirësimin e efikasitetit dhe se këto janë në kuadër të kompetencave të kryetarit të gjykatës.

"Shkaku i numrit të zvogëluar të gjykatësve dhe me qëllim të përmirësimit të efikasitetit të gjykatësve, vendimi është miratuar në pajtim me dëshirën e shprehur të gjykatësve dhe në pajtim me rekomandimet e ekspertëve të lartë për çështje sistemore për sundimin e së drejtës" – njoftojnë nga Gjykata Supreme.

Në muajt e fundit në Gjykatën Supreme ndodhën disa ndryshime në orarin për gjykime. Shpesh shefi i gjykatës më të lartë rokadat në këshillat i bënte kur vendosej mbi çështje të ndjeshme të Prokurorisë Speciale.

Pasi Vangellovski sërish mori postin e kryetarit në prill të këtij viti, në muajin e parë tre herë intervenoi në orarin vjetor të gjykatësve. Në muajt në vijim, menaxhimin e Vangellovskit me gjykatën më të lartë e shënuan disa vendime kontestuese. 

Njëri prej tyre është vendimi i afaristit Sead Koçan që ta lirojnë nga paraburgimi edhe pse më shumë se dy muaj ishte në arrati. Rasti i fundit ishte me të arratisurit Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski të akuzuar për përgjim të paligjshëm. 

Në fund të korrikut gjykatësit suprem e konfirmuan paraburgimin për dy agjentët e kundërzbulimit, por vendimin deri te gjykata e Apelit e lëshuan katër orë pasi e miratuan vendimin, një periudhë e cila me siguri ka mjaftuar që dyshja nga DSK-ja të arratiset dhe deri më sot të mos dihet se ku janë.

    Data: 19 Shtator 2017 19:28
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera