Kthehu lart

Afati skadon të enjten, partitë në disa komuna ende në dilema për kandidatët

Afati skadon të enjten, partitë në disa komuna ende në dilema për kandidatët GazetaExpress

Edhe pse tashmë janë përfunduar pjesa më e madhe e emrave, ende në disa komuna partitë kanë dilema marrë parasysh analizat dhe rejtingjet e brendshme për çdo kandidat potencial.

Në Tetovë ende nuk dihet se me kë do të garojë BDI. Janë dy emra që përfliten jozyrtarisht edhe pse askush nuk dëshiron të tregojë për kë anon më shumë vlerësimi i kryesisë qendrore. Edhe pse Teuta Arifi përflitet si një nga kandidatët seriozë edhe për një mandat, në garë është edhe biznesmeni, Ibraim Dehari. “Besa” në Tetovë garon me kryetarin e saj, Bilall Kasamin, që tashmë e ka konfirmuar kandidimin edhe pse kishte zëra se mund të tërhiqet.

Aleanca garon me Adnan Azirin, PDSH me nënkryetarin e partisë, Bardhyl Dautin. Në Strugë garon kreu i Aleancës, Ziadin Sela, PDSH me Pëllumb Vlashin, “Besa” me Lavdrim Elmazin, nga BDI lakohet emri i Ramiz Merkos, por ende pa konfirmim zyrtar. Në komunën e Butelit, PDSH kandidon Ermond Miftarin, ndërsa Lëvizja “Besa” Naser Currin. Në Saraj garon Blerim Bexheti i BDI-së, Sefedin Aliu i PDSH-së dhe Bashkim Bakiu i “Besës”, sonte pritet të vendoset për kandidatin e Aleancës, njofton ТVМ2.

Janë përmbyllur tashmë prej ditësh kandidaturat e të gjitha partive për Gostivarin, Dibrën, Çairin, Kërçovën, Likovën, Studeniçanin, Tearcën e për komunat e tjera.
LSDM tashmë ka bërë publikë emrat e dy kandidatëve shqiptarë për këto zgjedhje, Milikije Halimin në Haraçinë dhe Hadi Osmanin në Likovë. BDI nuk ka përjashtuar daljen me kandidat të përbashkët me LSDM-në në disa komuna, por nuk dihet nëse një gjë e tillë do të ndodhë marrë parasysh kohën e shkurtër të mbetur në dispozicion. Të përfunduara thuajse janë edhe listat e këshilltarëve komunalë.

Në komunën e Gazi Babës dhe Çashkës dhe në Manastir, BDI, Aleanca dhe BESA dolën me listë të përbashkët për këshillin komunal. Partitë shqiptare duket se nuk e shohin me interes karrigen e parë të kryeqendrës. Andrej Zhernovski ka tërhequr kandidaturë si kandidat i pavarur për komunën Qendër, për të mbështetur kandidatin e LSDM-së, që ende nuk është caktuar, por që kreu i LSDM-së ka deklaruar se mund të jetë ndonjë prej anëtarëve të kryesisë qendrore. Shumë nga emrat e përfolur për kandidatë që janë të pakonfirmuar mbetën të zyrtarizohen në kuvendet qendrore të partive politike që mbahen sonte.

    Data: 13 Shtator 2017 21:47
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera