Kthehu lart

Philip Roth: Të tregoj histori ishte gjithçka për mua, tash nuk është më

Philip Roth: Të tregoj histori ishte gjithçka për mua, tash nuk është më GazetaExpress

Një nga intervistat e fundit e Philip Rothit, pak kohë pasi kishte hequr dorë nga të shkruarit. Roth vdiq sot, në moshën 85 vjeçare. Në këtë intervistë, ai fliste edhe për presidentin Donald Trump. “Ankthi që po e përjeton Amerika sot, dhe është njëmend ankth, është se njeriu i zgjedhur president është një narcist malinj, një rrenc patologjik, një injorant mburravec, i ulët, hakmarrës dhe me gjasë paksa i huqur. Dhe po i minimizoj të metat e tij. Për çdo ditë shokohemi nga sjellja e tij e pamatur, nga deklaratat e tij pa kripë dhe rreziku që sjell marrëzia e tij për ShBA-të dhe botën nuk ka kufi”

Prej se keni reshtur së shkruari, ju, Philip Roth, i keni rilexuar shkrimtarët që përherë i keni dashur, pastaj librat tuaj. Por, jeni ndalur te ‘Portnoi’. Megjithatë, ky roman ka një rëndësi shumë të madhe në veprën tuaj. A nuk gjeni aty zërin tuaj?

“E kam gjetur një zë te ‘Ankimi i Portnoit’. Nuk ishte aq zëri im sa zëri i duhur për këtë libër – ose, po deshët, për këtë personazh. Në përvojën time, çdo libër kërkon – ose të paktën do të duhej – një modulacion të tonit, të nivelit dhe të emfazës që t’ia japë shprehjen më të vërtetë subjektit. ‘Ankimi i Portnoit’ tingëllon në një mënyrë, libri mbi basketbollin ka një tingull radikalisht më ndryshe, e një libër si ‘Gjiri’ e ka një krejtësisht tjetër. Kjo është ajo që ndodh pak a shumë me pjesën më të madhe të narratives sime”.


Ju thoni: ‘Jam shkrimtar amerikan tout court’ dhe jo shkrimtar hebreo-amerikan. Portnoi dëshiron ta pushtojë Amerikën duke i pushtuar gratë. A dëshiroi po ashtu të jeni amerikan tout court dhe jo hebre që jeton në Shtetet e Bashkuara?

“Portnoi nuk është shkrimtar, prandaj nuk mund të krahasohet me mua. Përvoja ime prej hebreu në Amerikë është ajo se jam një amerikan në Amerikë. Te Portnoi jam munduar ta dramatizoj një situatë më problematike se ajo që e kam jetuar si shkrimtar”.


‘Ankimi i Portnoit’ është evokuar te ‘Zuckermani i tërbuar’. Zuckerman shkruan një roman që bën skandal, ‘Carnovsky-n’. Është libri i tij i katërt, si ‘Portnoi’ për ju.

“Ju po flisni për një roman që Zuckerman, te Zuckermani i tërbuar, e ka shkruar si i ri dhe që e bën të famshëm – me të gjitha gjërat e pakëndshme që pasojnë. Në ato kohë i kisha mësuar me vështirësi disa gjëra, duke qenë se unë vetë isha bërë i famshëm si autor i një libri skandaloz dhe e mora atë përvojë të tmerrshme për ta shndërruar në një subjekt narrativ të një romani komik”.


Vëreni ndonjë afinitet mes dy heronjve, Portnoit dhe Mickey Sabbathit, tridhjetëvjeçar provokues njëri e gjashtëdhjetëvjeçar i pamëshirshëm tjetri?

“Jo, mendoj se janë dy njerëz të ndryshëm. Portnoi është i ngujuar në një mengene vdekjeprurëse mes frenimit moral e shoqëror dhe një dëshire libertinizmi seksual. Sabbath është një libertin i shfrenuar. Vuajtja e Sabbathit s’ka të bëjë asgjë me të ndierit apo të qenit i ndrydhur seksualisht. Vuan për tërë atë që e ka mësuar rreth vdekjes dhe humbjes. Dhimbja është disfata e tij. Me gjasë kurrë s’do të më kishte shkuar mendja të shkruaja ‘Gjirin’ po qe se s’do ta kisha admiruar ‘Metamorfozën’ e Kafkës. Por, nuk e konsideroj as parodi as homazh, edhe pse e kuptoj pse dikush mund ta dëshirojë në atë kuptim. Për mua ka lindur, si Zuckermani i shfrenuar, nga përvoja ime shndërrimit, me suksesin e Portnoit, në një person të famshëm seksualisht. Mund edhe të bëhesha një gji me madhësi të një njeriu, duke pasur parasysh rolin që ma kishte dhënë publiku i ndriçuar”.


Është paraqitja e parë e Kepeshit para ‘Profesori i dëshirës’ dhe ‘Kafsha e dukevdekur’. Bëhet fjalë për një trilogji mbi seksualitetin? Për një eksplorim të dëshirës seksuale në absolutizmin dhe në marrëzinë e saj? Me një roman komik dhe dy të tjerë më tragjik?

“I keni përshkruar librat e Kepeshit përsosshmërisht. Doja ta portretizoja një njeri që jeton tri jetë të ndryshme erotike; një groteske, një konvencionale dhe atë të fundit të lirë, pa përgjegjësi, në kërkim të kënaqësisë: Kepeshi është një hedonist erotik, një estet i qirjes. Groteske, konvencionale, hedonistike: ishte si të përshkruaja jetën erotike të një njeriu reprezentativ në rrjedhën e jetës së tij“.


‘Jeta ime prej burri’, është një roman humorizmi i të cilit nuk duket të jetë kuptuar, posaçërisht nga gratë. Mendoni se nuk ua lë shenjë humori?

“Absolutisht jo. Shpirti i mprehtë është i zakontë  - ose i pazakontë – mes grave po aq sa mes burrave. Kjo sigurisht ka qenë përvoja ime. Te ‘Mashtrimi’, kam një heroinë me shpirt bukur kaustik dhe është edh enjë tjetër, më e kontrolluar, te ‘Kundërjeta’”.


‘Jeta ime prej burri’, a nuk është romani që ju ka dhënë reputacionin e mizogjinit? Dikush e ka marrë për autobiografi ku e shprehni urrejtjen tuaj ndaj grave. Megjithatë, Tornapoli thotë se nuk i ka mëri gratë, por të tijën.

“Po, Tornapoli e ka mëri gruan e vet sherri i mashtrimeve të turpshme. Mauriac na e prezanton një grua të pabesë dhe kriminale te Therese Desqueyroux, të urryer nga burri që ajo është munduar ta helmojë. Ema Bovari e urren Çarlsin, i cili nuk është kriminel as tradhtues. Është një skenë, nëse e mbaj mend mirë, ku Çarlsi ngrihet për ta lëshuar dhomën dhe ajo e urren thjesht shkaku i pamjes së shpinës së tij. Mbase është meskine, por kjo nuk e zbulon mizandrinë e Emës, ashtu siç dhimbja e thellë e Tarnopolit për gruan e pabesë nuk e bën as atë as autorin e tij mizogjin”.


‘Komploti kundër Amerikës’ është historia e një ankthi që nuk ka ekzistuar, zgjedhja e një presidenti të së djathtës ekstreme më 1940. Po Amerika sot, a nuk po kthehet në një ankth?

“Ankthi që po e përjeton Amerika sot, dhe është njëmend ankth, është se njeriu i zgjedhur president është një narcist malinj, një rrenc patologjik, një injorant mburravec, i ulët, hakmarrës dhe me gjasë paksa i huqur. Dhe po i minimizoj të metat e tij. Për çdo ditë shokohemi nga sjellja e tij e pamatur, nga deklaratat e tij pa kripë dhe rreziku që sjell marrëzia e tij për ShBA-të dhe botën nuk ka kufi”.


Po vëreni një rilindje të antisemitizmit?

“Jo. Ka shfaqje të antisemitizmit nga ana e së djathtës ekstreme nacionaliste, por nuk mund të thuhet se kombi është antisemit apo i gatshëm t’i urrejë hebrenjtë”.


E racizmi ndaj afromerikanëve?

“Natyrisht, problemet e mëdha të shkaktuara nga historia e gjatë e shtypjes së afroamerikanëve, disa prej të cilave haptas të pashueshme, vazhdojnë të ekzistojnë, por unë nuk besoj se në pjesën e tyre më të madhe amerikanët janë racistë të dhunshëm. Mendoj se janë vetëm një grup i vockël racistësh të dhunshëm në Kongres dhe është një racist i dhunshëm në Shtëpinë e Bardhë. Ekziston edhe një thekë racizmi të dhunshëm të organizuar në disa komunitete të vendit tonë. Por, racizmi është një problem amerikan historik që i ka rrënjët e veta te skllavëria, mëkati amerikan i zanafillës. Dëmi që ka bërë gjatë shekujve, qysh se është krijuar vendi, është i pallogaritshëm”.


Ju e vajtoni ‘rrallimin e lexuesit serioz’ shkaku i përqendrimit të pamjaftueshëm si pasojë e mjeteve të reja të komunikimit.

“Mendoj se shuarja e një publiku lexuesish seriozë po përkeqësohet çdo decenie. Nuk e di çka mund ta kthejë mbrapshtë këtë tendencë”.


Prej se po jetoni pa shkruar ju keni një iPad, një iPhone, një adresë elektronike, tërë atë që më parë e refuzonit. Megjithatë, keni mbetur një lexues serioz. Çka po lexoni tash?

“Në vitet e fundit ka lexuar para se gjithash libra të historisë amerikane. Më ka shkuar jeta duke lexuar, shkruar, studiuar dhe dhënë mësim narrativen, narrativa kurrë s’ka qenë larg mendimeve të mia. Por, e shoh se tash që e kam lënë të shkruarit e romaneve, kam dëshirë të mendoj për tjetërgjë. Herë pas here lexoj ndonjë roman që më gjendet para duarve, e herë pas here rilexoj ndonjë roman që e kam dashur dhe më pëlqen ende. Por të treguarit e historive, që një herë e njeh kohë ishte gjithçka për mua, nuk është më qendra pulsuese e jetës sime. Është e çuditshme. Nuk e merrja mend se mund të bënte vaki kështu. Por, s’i merrja me mend as shumë gjëra të tjera që po bëjnë vaki përreth nesh”.

Marrë nga: La Repubblica.it

Përktheu: Gazeta Express


    Data: 23 Maj 2018 15:06
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera