Kthehu lart

Adam Michnik: Liria është si oksigjeni

Adam Michnik: Liria është si oksigjeni GazetaExpress

Përgjegjësia individuale. Sfida e nacionalizmave. Roli i së majtës. Një intelektual i madh shpjegon pse do të jetë gjithmonë vlera më e madhe

Kur në Poloni ishin në pushtet komunistët, Adam Michnik, si i ri aktivist dhe lider i opozitës demokratike, përfundonte në burg në mënyrë periodike: dhjetë për qind të 71 vjetëve të tij i ka kaluar mbrapa grilave. Në atë kohë megjithatë i pëlqente të përsëriste: “Unë si qytetar i lirë i një vendi të lirë...”. ishte një mënyrë ironike për të thënë se ai kishte vendosur të sillej dhe të jetonte thua se diktatura nuk ekzistonte; vetëm se ishte i privuar nga shumica e të drejtave elementare civile. Sot, drejtori i Gazeta Wyborcza, është përsëri në shënjestrën e qeveritarëve, këtë herë për shkak se konsiderohet armik i çdo nacionalizmi. Me Michnikun, që e konsideron veten njeri të së majtës, folëm për një fjalë që pikërisht e majta e përdor herë pas here, herë të tjera e harron, sepse është tepër e pakëndshme apo e abuzuar nga e djathta, e cila sidoqoftë e ndez imagjinatën e secilit; nga e majta dhe nga e djathta, përveç asaj të tiranëve. Fjala është: liria.

Kur as Polonia as ti nuk ishit të lirë, ju e quanit veten një ‘qytetar i lirë’ dhe e thoshit këtë kur ishit në burg. Po atëherë çka është liria?

“Liria është aftësia për të reflektuar në mënyrë autonome mbi vetveten, mbi botën dhe mbi rolin tonë në botë. Jam duke e thënë një gjë elementare: mund ta mbaj lirinë time edhe në burg. Librat, esetë, tekstet e mia nëpër gazeta, të shkruara në burg dhe të botuara në mënyrë klandestine në Poloni, ishin tekste të një njeriu të lirë. Po qe se, si i burgosur, do t’i isha përkulur narracionit, retorikës, gjuhës së burgosësve të mi, do ta kisha humbur lirinë time. Poeti i madh rus Osip Mandel’stam, kur shkruante poezitë e tij në kohën e Stalinit, ishte një njeri i lirë. Dua të shtoj një gjë: liria është si oksigjeni. Derisa jetojmë në kushte normale, nuk ndërmendemi se sa e domosdoshme është, i biem në të vetëm atëherë kur e humbim. Jeta e përditshme e një vendi demokratik nuk ngjall entuziazëm as habi, megjithatë, kur nis të mungojë liria, ndihemi të ngufatur. E mbi të gjitha, e humbim fjalën. E humbim ngase pa lirinë nuk jemi në gjendje të mendojmë dhe ta imagjinojmë të ardhmen”.


Cili është çmimi më i lartë që ia vlen barra qiranë të paguhet për lirinë?

“Për mua liria nuk ka çmim”.


Do të ishit i gatshëm ta paguani me jetë lirinë? Ishit kur gjendeshit në burg?

“Po”.


Jeni i sigurt?

“Dëgjoni, nëse ju e mohoni veten, nëse hiqni dorë nga liria juaj, jeta juaj e humb shijen, aromën, kuptimin. Nuk besoj se po them ndonjë gjë befasuese. Ka pasur, gjatë historisë, shumë persona që e kanë humbur jetën vetëm e vetëm që të mos heqin dorë nga liria”.


Por pothuajse gjithmonë ka ekzistuar po ashtu edhe opsioni i kompromisit; heqja dorë nga paksa e lirisë, pranimi i një limiti, që të mund të veprohet në dritën e diellit në regjimet autoritare. Kujtoji disa revista kulturore nën fashizëm në Itali apo në kohët e komunizmit në vendin tuaj, në Poloni. Dhe kishte persona, brenda institucioneve, që i ndihmonin antifashistët në Itali apo antikomunistët në Poloni.

“Por, nuk kanë hequr dorë nga e drejta e vullnetit të lirë. Kanë zgjedhur kompromisin dhe të qëndruarit brenda institucioneve si një teknikë mbijetese”.


Po thoni se kompromisi nuk e çallaton parimin e lirisë?

“Do të thosha më tepër: kompromisi është buka dhe vera e demokracisë. E demokracia nuk është tjetër veçse liria në kuadër të ligjit dhe Kushtetutës”.


Jemi rritur me parullën Liri, Barazi, Barazi. Janë vlera të pajtueshme mes vete, apo duhet të zgjidhet një ose dy në dëm të tjetrës?

“Janë vlera dhe fjalë nga ta cilat nuk hiqet dorë. Mirëpo, liria nënkupton mungesë kufizimesh, ndërsa barazia, nëse është absolute, sjell kufizime të lirisë. E vëllazëria në fund është bijë e kohës së Dritave, e Revolucionit francez dhe është njëra prej fjalëve më të bukura të fjalorit tonë. Problemi është se vështirë se mund të përkthehet në një gjuhë institucionesh. Ja, nga kjo pikëpamje, unë jam ndjekës i filozofit liberal Isaiah Berlin: liria duhet kuptuar si mungesë pengesash dhe jo si e drejtë për diçka. Me fjalë teknike, liria është negative, jo pozitive”.


Marksi do të bënte vërejtje: liria juaj është liria e borgjezëve. Një varfanjak, një proletar i detyruar ta shesë kohën e tij, talentin e tij, është i obliguar t’i bëjë disa veprime vetëm e vetëm që të mbijetojë, nuk është i lirë.

“Do t’i përgjigjesha Marksit duke thënë se gjithmonë mund të refuzojë t’i bëj disa gjëra që m’i kërkon punëdhënësi. Çështja është çmimi që do ta paguaj për shkak të atij refuzimi, por jo vetëm akti i të thënit jo. Shikoni, mua mund të më duket e padrejtë dhe e neveritshme gjendja e klasës punëtore në Angli, e përshkruar me aq mjeshtëri nga Engelsi në librin homonim, por kjo nuk do të thotë se punëtori nuk është në gjendje të mendojë dhe ta gjykojë botën si njeri i lirë”.


Të kthehemi te parulla e trefishtë: Liri Barazi Vëllazëri.

”Problemi është se jeta është plot kundërthënie. Ka rrethana në të cilat liria është më e rëndësishme se barazia dhe kohë në të cilat lypset të tregohemi më të kujdesshëm ndaj vlerës së barazisë. Por ka edhe situata në të cilat nuk mund t’i jepet përparësi vetëm njërës prej këtyre vlerave. Po të jetoja në Kinë do të isha për lirinë, por nuk do të hiqja dorë nga barazia. Pastaj ka vende ku mbretëron gënjeshtra e propaganduar nga pushteti dhe ku lypset të mbrohet e vërteta, sepse liria kërkon një dozë të mirë të vërtete. Në vendin tim dëgjoj të thuhet se polakët kanë qenë përherë një popull i pafajshëm, një komb që kurrë nuk i ka bërë keq askujt”.


Po iu referoheni ligjeve që ndëshkon atë që, sipas pushtetit, e denigron kombin polak dhe që do të duhej të pengonin një diskutim të lirë mbi antisemitizmin, mbi raportet e vështira me ukrainasit, mbi rastet e polakëve që i kanë dorëzuar hebrenjtë te nazistët?

“Sigurisht. Por e kisha fjalën për tërë narracionin që po shmanget të flasë për anët e errëta të historisë. Po e them për të thënë një shembull të asaj se çka është një gënjeshtër e institucionalizuar. Dhe për të shpjeguar se në ato raste unë e mbroj të vërtetën, duke u bërë rojë e lirisë së hulumtimit”.


Pra liria ka diçka të përbashkët me të vërtetën?

“Liria që zgjedh gënjeshtrën e mohon vetveten”.


Në shekullin e kaluar kërcënimi ndaj lirisë ishin totalitarizmat: fashizmi dhe komunizmi, me të gjitha diferencat mes tyre. E sot?

“Sot ka situata grusht shtetesh zvarritëse apo lëvizjesh që ngadalë shpijnë drejt regjimeve autoritare. Shpeshherë strukturat demokratike përdoren për t’i shkatërruar nga brenda; dhe ka analogji evidente me shekullin e kaluar. Por, sipas mendjes sime, kërcënimi kryesor qëndron në bindjen se ka një të vërtetë dhe meqë e vërteta është një e vetme, pushteti ka të drejtë t’ua imponojë të gjithëve. Një mënyrë e tillë e të menduarit e përjashton pluralizmin, anon ta nxjerrë nga loja mospëlqimin. Bëhet fjalë për një ‘demokraci kanibale’; partia që i fiton zgjedhjet e ha partinë që humb. E shohim në vepër në Rusi, në Hungari, në Poloni.  


Situata që t’i kujtojnë totalitarizmat?

“Jo. Situata që ta kujtojnë rrugën drejt totalitarizmit”.


Totalitarizmat pra janë një fenomen ekskluziv i shek.. XX, por do të mund të ktheheshin?

“Është një mësim që e kam marrë nga Merek Edelman (zëvendëskomandanti i revoltës së getos së Varshavës). Edelman thoshte se historia përsëritet, e kishte fjalën për shfarosjen e hebrenjve dhe gjenocidet. E citonte  Bosnjën dhe Ruandën. Në atë kohë i merrja tepër me lehtësi fjalët e tij, por sot e kam kuptuar se si kishte të drejtë, ndërsa unë gabim. Për mua vlen si analogji me totalitarizmat”.


Ju jeni historian me edukim. Keni jetuar nën komunizëm dhe e keni luftuar. Shihni ndonjë dallim mes fashizmit dhe komunizmit?

“Po, dhe të shumta. Fashizmi ishte më i sinqertë. Thoshte: ne jemi më të mirët dhe të tjerët duhet të eliminohen, ose të përjashtohen, ose të dominohen. Ndërsa komunizmi pohonte: kushdo që dëshiron të luftojë bashkë me ne është i mirëseardhur dhe do t’i ketë të gjitha të drejtat. Falë retorikës së tij inkluzive, komunizmi ka pasur një fuqi të madhe tërheqjeje për të shtypurit dhe të poshtëruarit. Ishte thirrje për më të mirën dhe më të bukurën. Por pastaj, në praktikën e përditshme, komunizmi e realizonte më të keqen dhe më të shëmtuarën”.


Mbase problemi është edhe më kompleks. Sot jemi të prirë të harrojmë se Churchill, jo rastësisht, ishte aleat i Stalinit dhe jo i Hitlerit. E edhe se në Itali, vend që ju e njihni mirë, komunistët kanë marrë pjesë në hartimin e një Kushtetute demokratike.

“Churchill ishte konservator, e përçmonte komunizmin dhe ia kishte frikën, por ishte realist. E kuptonte se në vitet Tridhjetë, regjimi më kërcënues, më i keq, më shkatërrues për botën ishte ai i Hitlerit dhe jo i Stalinit. Por mund ta marr me mend një aleancë hipotetike mes Churchillit dhe të djathtës radikale jo naziste gjermane kundër Stalinit. E edhe sa u përket komunistëve italian. Komunizmi ka pasur shumë fytyra. Njërën, posaçërisht, e ka pasur në Itali. Komunizmi italian në vitet Tridhjetë ishe konstituuar në luftën kundër fashizmit, pra kundër një regjimi totalitar. Por, do të mund ta zgjeroja diskursin: në geton e Varshavës, komunistët luftuan bashkë me socialistët antistalinistë të Bundit dhe me sionistët. Dhe askush nuk ishte habitur as nuk ishte ndier në siklet”.


A të flasim për raportin mes lirisë dhe përgjegjësisë, një temë e dashur për ekzistencialistët, për Sartrin, për Kamynë?

“Koncepti është i thjeshtë: mund të jem i përgjegjshëm vetëm me kushtin që të jem i lirë”.


Megjithatë, ai që është i shtypur, pra që nuk është i lirë, nganjëherë duhet të vendosë për shembull a të bëjë luftë paqësore apo të armatosur, ose nga ana tjetër të kërkojë ta shpëtojë atë që është e shpëtueshme. Me fjalë të tjera, edhe ai që nuk është i lirë duhet t’ia parashtrojë vetes problemin e përgjegjësisë.

“Në këtë moment jemi në Varshavë, në shtëpinë time,  por larg getos. Lejomëni pra të jap një shembull të skajshëm. Le të flasim për Adam Czerniakówin, kapon e Judenrat, këshillit hebraik të emëruar nga gjermanët. Czerniaków është vetëvrarë kur e ka kuptuar se nazistët po e deportonin drejt dhomave të gazit tërë popullatën. Edelman e konsideronte këtë vetëvrasje një ikje nga përgjegjësia dhe shumë herë e ka kritikuar jo vetëm atë zgjedhje, por tërë qëndrimin e këtij njeriut që kërkonte tamam ta shpëtonte të shpëtueshmen. Edelman e kishte tërë të drejtën t’i shprehte kritikat e tij, por nuk e kanë të njëjtën të drejtë nacionalistët polakë që tash po përpiqen të flasin për ‘bashkëpunimin’ e hebrenjve”.


Sigurisht, por ju nuk jeni një nacionalist polak, jeni një hero i luftës për liri dhe ishit mik i Edelmanit. Prandaj po ju pyes: çka mendoni ju?

“Czerniaków po përpiqej ta shpëtonte të shpëtueshmen, sepse në botën normale kompromis shpesh është i nevojshëm dhe nganjëherë shpaguhet. Por kur e kuptoi se kjo rregull nuk vlente në botën e nazistëve, u vetëvra. Kam simpati të plotë për Edelmanin, por besoj se e kuptoj Czerniakówin. Nag aan tjetër, vetë Edelmani thoshte se nevojitej më shumë heroizëm për ta shoqëruar një fëmijë në një dhomë gazi se sa për të luftuar me armë në duar”.


Të kthehemi te bota jonë banale. Ku është kufiri i lirisë?

“Kufiri është liria e Tjetrit”.


Ekziston megjithatë edhe një koncept i lirisë kolektive. Liria e një kombi për ta qeverisur vetveten, vetëvendosja. Si i bëhet që të mos shndërrohet në praktikë të pastrimit etnik, të përjashtimit të të tjerëve?

“Të kthehemi te klasikët. Të kuptojmë se dimensioni individual i lirisë është më i rëndësishmi. Pastaj, ta kuptojmë se fitorja e nacionalizmave çon në katastrofë, gjithmonë”.


Dostojevski thoshte: nëse s’ka Zot, gjithçka është e lejueshme...

“Po fliste për nihilzmin. Mirë pra, gjuha e Dostojevskit i referohej lirisë si mungesë e Zotit. Liria laike mund të çojë në nihilizëm, por jo domosdoshmërisht dhe jo si pasojë e drejtpërdrejtë. Nuk ishin nihilist as Kamy, as Saharov, as Orwell, as Arendt, që të gjithë burra e gra nihilistë dhe të lirë. Po ndalem te nihilizmi: kishte situata, si ajo e terroristëve rusë në shek. XIX,  që në luftën kundër carizmit i kanë tejkaluar kufijtë e të lejueshmes: por e kanë bërë sepse lufta e tyre për liri ishte më e rëndësishme se vetë liria. E ngjashme ishte situata e komunistëve, para se të vinin në pushtet”.


Qysh nga kohët e Marksit, e majta pohon një të vërtetë të vetme, me pretekstin se bëhet fjalë për një të vërtetë shkencore. Për rrjedhojë, e majta prore ka pasur probleme me gjuhën e lirisë...

“Po prisja një pyetje mbi të ardhmen e së majtës. A janë të së majtës Erdogan, Orbán, Kaczynski, politikanë që përdorin gjuhën e hakmarrjes sociale? E ku është klasa punëtore e një kohe? Në Europë nuk ekziston më. Atëherë, e majta për mua është një projekt kulturor; një qëndrim i caktuar ndaj të huajve, imigrantëve. E majta është feminizëm. Çështja e vërtetë e së ardhmes është lufta mes atyre që do të duan një shtet dhe një shoqëri të hapur dhe atyre që do të jenë për mbylljen. E ardhmja e së majtës është lufta për liri”.

/Marrë nga Espresso.it

/Përktheu: Gazeta Express


    Data: 30 Maj 2018 17:27
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera