Kthehu lart

A do të vijë Liam Neeson në Shqipëri?

A do të vijë Liam Neeson në Shqipëri? GazetaExpress

"Jo vetëm Liam Neeson, por do të vijnë shumë turistë të huaj"

“Të rrëmbehesh nga Shqipëria”, videoja që promovon Shqipërinë dhe bukuritë e saj, përmes një apeli drejtuar aktorit irlandezo-verior, Liam Neeson, që të vijë dhe të zbulojë vendin tonë, është bërë një hit i vërtetë në mediat sociale.

Duke përdorur komentet e tij të famshme për Shqipërinë, një dekadë më parë, në filmin “Taken”, aktori i njohur i Portokallisë, Florian Binaj, është ai që ia drejton ftesën aktorit.

“Hej Liam, ne i adhurojmë filmat e tu dhe mendojmë se je shumë i talentuar, por kemi një problem. Ti i bëre njerëzit të mendojnë se ne shqiptarët jemi kriminelë, hajdutë dhe që kërkojmë gjithnjë vajza për të rrëmbyer. Por tani është koha të të tregojmë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë ne, të të hipim në një avion, sepse ne besojmë se ti do të rrëmbehesh nga Shqipëria”, thotë Binaj në spot.

Videoja është mbushur me apele për të njohur historinë e Shqipërisë, traditën, kështjellat, fjordet dhe luginat, liqenet e ngrira, kanionet dhe flamengot, e gjithë kjo, rrethuar nga ngrohtësia dhe mikpritja e shqiptarëve.

Për të diskutuar lidhur me këtë fushatë, të ftuar në emisionin “Bon Bon” të RTV21 ishin drejtoresha ekzekutive e fushatës online “Taken by Albania”, Blerina Ago si  dhe përkrahësi i kësaj fushate, aktori, Florjan Binaj.

Blerina Ago tha se besojnë që Liam Neeson do t’i përgjigjet ftesës për shkak se ai bashkë me familjen e tij kanë dhënë kontribut për zhvillimin e artit në Kosovë.

“Kështu në njëfarë mënyre janë të lidhur me kombin tonë dhe ne me ndihmën e shqiptarëve tanë që banojnë në Amerikë jemi duke u përpjekur t’i kontaktojmë dhe ministri Blendi Klosi është duke përgatitur ftesën zyrtare që t’ia dërgojmë Liam Neeson. Jo vetëm Liam Neeson, por do të vijnë shumë turistë të huaj”, ka thënë Ago.

Ajo tha se qëllimi final i kësaj fushate është të sjell valutë të huaj në Shqipëri. Aktori i njohur, Florjan Binaj ka thënë se nuk ka nevojë të bëhen luftra për ta mbrojtur vendin, por tha se mjafton vetëm ta duam.

“Edhe po ta pyesim atë lypsin tek rruga si mund të bashkohemi edhe ai e di, puna është vullneti dhe dëshira për ta bërë këtë gjë konkrete, një nga këto është turizmi, një tjerë mund të jetë që ne t’i heqim taksat njëri-tjetrit si shtet, të heqim edhe atë kufirin se çfarë kuptimi ka. Turizmi është pikënisja dhe nuk duket të presim gjithmonë nga qeveritë, por gjithkush duhet ta bëjë  atë të veten. Nuk ka nevojë me bo luftra për ta mbrojtur vendin, por  mjafton vetëm ta duam”, ka thënë Binaj./ 21Media

    Data: 07 Mars 2019 02:02
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera